Qeveria e Serbisë duhet ta respektojë aktgjykimin dhe kërkesën që i është bërë asaj nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, tha për Radio Blue Sky, eksperti i çështjeve ekonomiko-juridike Riza Smaka. Gjykata i kishte kërkuar Serbisë që deri në 17 tetor ta zgjidhte çështjen e pensionistëve nga Kosova.
Ky afat dje ka kaluar, por nuk ka asnjë zgjidhje të ofruar nga qeveria e Serbisë. Eksperti Riza Smaka, thotë se kërkesa e Gjykatës së Strasburgut është obliguese pasi bazohet në aktgjykim përmbarues. “Përfundimisht Serbia do të jetë e obliguar për të krijuar fondin dhe për të likuiduar fondin në favor të qytetarëve, pensionistëve të Kosovës. Ka raste kur pensionistët kanë vdekur, por ajo iu takon trashëgimtarëve”, tha Smaka.
Gjykata e Strasburgut tani përmes institucioneve tjera ndërkombëtare, qoftë edhe përmes OKB-së, do të bëj presion ndaj Serbisë, thotë profesor Smaka. Sipas tij, këtë moment duhet të shfrytëzojnë edhe shoqatat e pensionistëve të Kosovës. “Do të ju them që Shoqatat e Pensionistëve të Kosovës të bëjnë një kërkesë në emër të pensionistëve të Kosovës pikërisht duke u thirr në Aktgjykimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, se nuk prish punë, sa më shumë argumente aq më mirë”, tha Smaka.
AI thotë se kërkesa e mundshme e shoqatave të pensionistëve të Kosovës do të ishte mirë të mbështetej edhe nga institucionet e Kosovës.
Ndryshe, Gjykata në Strasburg në prill të këtij viti ka urdhëruar qeverinë e Serbisë që edhe qiftit Grudiq nga Mitrovica t’u paguhen të gjitha pensionet dhe kamata qe nga viti 1999 si dhe shpenzimet e gjykatës. /Telegrafi/
0 comments:
Post a Comment